Strategu i fushatës elektorale të Donald Trumpit, Chris LaCivita, ka tërhequr vëmendjen e New York Times me njoftimin se do të jetë këshilltar i Partisë Demokratike, parti kjo, e drejtuar sikurse theksohet në artikullin e gazetës prestigjoze, nga një politikan i përballur me akuza për korrupsion nga DASH dhe nga prokurorët vendas.
Në mesazhet në formë teksti për NYT, LaCivita e karakterizoi punën e tij si një zgjatim të ndihmës për Trumpin.
“Unë po eksportoj MAGA-ns, bëje Shqipërinë të Madhe përsëri”, ka shkruar ai. Nga sa pohon dhe vetë, gjen ngjashmëri mes rastit të Berishës të sanksionuar nga administrate Biden në 2021 për “korrupsion të konsiderueshëm”, sipas një deklarate të ish-sekretarit të Shtetit, Antony J. Blinken, i cili e akuzoi për shpërdorim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij, dhe Trumpin të përballur me një varg telashesh ligjore.
LaCivita argumentoi se akuzat kundër Berishës ishin të motivuara politikisht, ndërsa evokoi edeh ato që NYT i cilëson si pretendime të pabazuara të liderit democrat se pas masave kundër tij qëndron filantropi Georige Soros. Megjithatë, LaCivita duket se nuk i ushqen shpresat e Berishës se ai do të përfshihet pranë administratës Trump për të lobuar për heqjen e non gratës nga DASH.
“Unë nuk loboj. Unë bëj fushatë, dhe këtë jam duke bërë aktualisht, në mënyrë shumë direkte”, theksoi ai.
LaCivita sqaroi se në Shqipëri do të jetë për fushatën zgjedhore të 11 majit ku do të asistojë PD-në dhe liderin e saj. Por teksa e pohon angazhimin e tij për Berishën, thekson se nuk ka për qëllim të kërkojë mbështetje direkte nga administrata e Trump për politikanët shqiptar, ndërsa ndihmën për PD e kategorizon si angazhim politik dhe jo diplomatik. NYT shkruan se Berisha ka përdorur angazhimin e LaCivita për të lidhur veten me Trump, megjithëse presidenti amerikan nuk ka sinjalizuar mbështetje për asnjë parti në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.
“Berisha ka kërkuar të dallohet nga partia qeverisëse, duke premtuar se nëse opozita fiton, do të anulohet marrëveshja e Shqipërisë për pranimin e emigrantëve nga Italia”, thekson NYT.