Drejtuesit duhet të mbështetësin ekipin që të zhbllokojnë potencialin e plotë të tyre. 12 vite më parë, një projektues i ri, 25 vjeç, me përvojë si organizator në terren dhe punonjës në një startup arsimor në San Francisko, u ftua në një intervistë nga Suzanne “Suz” Gibbs Howard, emër i njohur në fushën e dizajnit dhe inovacionit. Suz kishte mbi 20 vite përvojë në Ideo duke ndërtuar një reputacion si konsulente në praktikat me në fokus përvojën njerëzore.
Në atë kohë, po mendonte të ndërtonte një platformë të re mësimore, që më vonë do të shndërrohej në Ideo U. I duhej një projektues i ri dhe vendosi t’i jepte një shans Mark Magellan-it, sot drejtues krijues dhe autor i shumë artikujve në platforma të shumta karriere. Ai pranoi menjëherë, por pas entuziazmit fillestar, nisën dyshimet dhe frika. Ishte një punë me afat të shkurtër, vetëm gjashtë javë dhe ai sapo kishte mbaruar studimet me kredi studentore, realiteti i shumë të rinjve në SHBA. Jeta në San Francisko ishte e kushtueshme dhe ai ndjehej i pasigurt.
Pavarësisht pasigurive, kishte nevojë për një përgjigje të thjeshtë: “A do të më mbështesësh nëse kjo nuk funksionon?”. Suz tha “po”. Por, ai nuk e dinte se kjo “po” nuk ishte premtim i lehtë. Atë mbrëmje, ajo e diskutoi me bashkëshortin, e ndërgjegjshme për peshën që mbartte fjala e dhënë ndaj një të riu që po rrezikonte shumë.
Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, Suz nuk u tërhoq kurrë nga ajo përgjigje. Investoi kohë dhe energji për ta ndihmuar të rritej. I siguroi mentorë, i gjeti trajnerë dhe e udhëhoqi me durim edhe kur ai gabonte. Edhe pasi rrugët e tyre u ndanë dhe ai u shpërngul në Berlin, Suz vazhdoi ta ndihmonte, duke i përgjigjur mesazheve dhe ruajtur lidhjen me të.
Kjo histori tregon qartë se çfarë do të thotë të jesh një lider i vërtetë. Nuk mjafton të drejtosh, duhet të qëndrosh pranë njerëzve që udhëheq. Dhe kjo kërkon pesë parime thelbësore:
Të shohësh njeriun
Lidershipi i mirëfilltë fillon me njohjen e individit përtej rolit të tij profesional. Çdo person ka një histori, ëndrra dhe ndjenja që e bëjnë unik. Liderët që i kuptojnë këto dimensione, krijojnë hapësira ku njerëzit mund të zhvillohen plotësisht.
Të ofrosh siguri
Kur një anëtar i ekipit merr një rrezik, ka nevojë të dijë se nuk është vetëm. Një drejtues i mirë është aty për ta mbështetur kur dështimi troket, duke ofruar kohë, burime dhe besim për ta rimarrë veten dhe për të mësuar.
Të bashkëkrijosh
Të kesh mbështetjen e dikujt nuk do të thotë vetëm të të jepet liri, do të thotë të punosh së bashku drejt qëllimeve. Bashkëkrijimi është procesi përmes të cilit drejtuesi ndihmon individin të ndërtojë rrugën drejt rritjes dhe të përputhet me misionin e përbashkët.
Të thuash të vërtetën
Shpesh, e vërteta mund të tingëllojë si kritikë. Por, drejtuesit që të duan me të vërtetë, e ndajnë të vërtetën jo për të gjykuar, por për të ndihmuar. Ata ndihmojnë të njohësh pikat e dobëta si pjesë e identitetit, jo si të meta për t’u fshehur.
Vepra, jo vetëm fjalë
Premtimet janë të lehta, por drejtimi kërkon veprime. Një drejtues i vërtetë nuk pret rastin ideal, ai e krijon atë. Një gjest i vogël, një akt konkret mbështetjeje, mund të ndryshojë rrjedhën e besimit dhe të ndikojë për një jetë të tërë.
Përmes këtij rrëfimi, kuptohet se lidershipi i vërtetë është marrëdhënie. Një marrëdhënie e ndërsjellë, ku mbështetja dhe besimi nuk formojnë vetëm rrugën e atij që udhëhiqet, por edhe të vetë liderit. Sepse kur ndihmon dikë të rritet, je gjithashtu duke u formuar vetë. Dhe ky është thelbi i udhëheqjes që lë gjurmë. / shqip.al