Ish-banori i “Big Brother VIP 5”, Keijsi, ka reaguar për herë të parë publikisht pas përjashtimit nga gara përmes zarfit të zi, një nga vendimet më të forta dhe më të komentuara të këtij edicioni.
Pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, ai ka zgjedhur të flasë hapur për përvojën e tij dhe arsyet që çuan në këtë vendim.
I ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Shqipëria Live”, Keijsi u shpreh se nuk është aspak i penduar për veprimet e tij brenda shtëpisë dhe se gjithçka e ka bërë me ndërgjegje të plotë.
Duke komentuar situatën që solli ndëshkimin, ai theksoi se nuk është ndjerë i nxitur, por ka reaguar për një çështje parimore.
Sipas tij, mënyra se si një mashkull i është drejtuar një femre ka qenë e papranueshme, duke nënvizuar se një sjellje e tillë nuk duhet toleruar në asnjë rrethanë.
Keijsi pranoi se e kishte kuptuar që në momentin kur zarfi i zi hyri në shtëpi se vendimi ishte për të.
Megjithatë, ai deklaroi se nuk do të kishte bërë asgjë ndryshe, pasi çdo veprim ka qenë i menduar dhe i ndjerë që nga dita e parë e deri në fund të lojës.
Nuk jam penduar për asgjë. Kam bërë gjithçka me koshiencë
-u shpreh ai, duke shtuar se përvoja në “Big Brother VIP” ka qenë jashtëzakonisht e veçantë dhe një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë.
Edhe pse pranoi se u mërzit që u largua nga gara, Keijsi theksoi se ajo që e ka zhgënjyer më shumë nuk ka qenë dalja në vetvete, por mënyra se si ajo u realizua, përmes zarfit të zi.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes debatin mbi kufijtë e lojës, reagimet emocionale dhe vendimet e forta të produksionit në “Big Brother VIP Albania”.