Bota Health & Beauty

OBSH: Probleme mendore te 1 në 6 europianë/ 1 në 3 nuk trajtohet!

Një në gjashtë persona në Europë jeton me një çrregullim të shëndetit mendor, ndërsa një në tre prej atyre që vuajnë nga ky shkak, nuk marrin trajtimin që u nevojitet, deklaruan studiuesit në një konferencë të organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH.

Edhe më dramatike janë të dhënat që lidhen me psikozën: një në katër persona që vuajnë prej saj nuk kanë qasje në trajtim ose një rrugë kujdesi.

Takimi bëri bashkë 31 vende që nënshkruan një angazhim të përbashkët: ta bëjnë shëndetin mendor një komponent strukturor të të gjitha politikave publike. Me pandeminë COVID-19, rastet e ankthit dhe depresionit janë rritur me 25%.

Në Rajonin Europian të OBSH-së, pasojat janë të dukshme veçanërisht midis grupeve më të prekshme: 11% e adoleshentëve kanë sjellje problematike që lidhen me mediat sociale, një në katër vajza 15-vjeçare deklaron se ndihet e vetmuar pothuajse gjithmonë dhe e njëjta gjë vlen edhe për një në katër 60-vjeçarë.

Ndër të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç, vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes. Përballë kësaj, mbetet një mungesë serioze e profesionistëve të shëndetit mendor. Gjatë konferencës së Parisit, delegatët miratuan “Deklaratën e Parisit”, një dokument që përshkruan udhëzime të përbashkëta.

Shëndeti mendor, njihet si një përgjegjësi kolektive, e cila kërkon veprim të koordinuar në sektorët e arsimit, punës, planifikimit urban, medias, drejtësisë dhe kulturës.

Ndër prioritetet: përfshirja e pacientëve në proceset e vendimmarrjes, promovimi i hapësirave publike që nxisin përfshirjen dhe mirëqenien mendore, si dhe sigurimi i shkrim-leximit dixhital për përdorim të sigurt të internetit e mediave sociale.

Kur e ndërthurim mirëqenien mendore në çdo vendim, bëjmë shumë më tepër sesa thjesht lehtësojmë vuajtjet: ndezim dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë, thekson drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge.