Olivia Wilde ka folur për herë të parë me sinqeritet për periudhën e trazuar që përjetoi në vitin 2022, kur ndarja nga Harry Styles përkoi me daljen në kinema të filmit të saj, “Don’t Worry Darling”.
Gjatë një bisede në podkastin e Louis Theroux, regjisorja dhe aktorja e përshkroi atë kohë si një nga më të vështirat e jetës së saj, duke pranuar se gjithë vëmendja u përqendrua te jeta e saj private, ndërsa filmi mbeti në plan të dytë.
Sipas Wilde, polemikat e shumta, thashethemet për marrëdhënien e saj me Styles dhe spekulimet për tensione gjatë xhirimeve bënë që publiku të mos shihte punën dhe përkushtimin e qindra personave që kontribuan në realizimin e projektit.
Ajo tha se “Don’t Worry Darling” meritonte të vlerësohej për historinë që tregonte dhe për përpjekjet e ekipit që punoi në kushte të vështira gjatë pandemisë, por zhurma mediatike e zbehu plotësisht këtë aspekt.
Duke kujtuar atë periudhë, Wilde pranoi se atëherë nuk e kuptonte plotësisht fuqinë e rrjeteve sociale dhe mënyrën se si ato mund të ndikojnë në perceptimin e publikut.
Është interesante ta shohësh një tornado nga brenda
-tha ajo, duke shtuar se sot e sheh gjithçka me më shumë qetësi dhe një këndvështrim ndryshe.
Regjisorja tregoi se përvoja me filmin e saj më të ri, “The Invite”, ka qenë krejtësisht e ndryshme. Ajo e përshkroi këtë projekt si një proces që e ka ndihmuar të rikthejë besimin te vetja dhe puna e saj.
“The Invite” është pritur pozitivisht nga kritika, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e Wilde, pas një periudhe që, siç e pranon edhe vetë, ishte po aq sfiduese në aspektin personal sa edhe në atë profesional.