Tech

OpenAI prezanton funksionin e ri!

Kompania kaliforniane për zhvillimin e inteligjencës artificiale, OpenAI, ka prezantuar një funksion të ri në mjetin e saj ChatGPT të quajtur Deep Research (Hulumtim i Thellë). Ky funksion mundëson kërkimin kompleks dhe me shumë hapa në internet për detyra të ndërlikuara, një agjent i ri i AI mund të kryejë brenda disa dhjetëra minutave detyra që njerëzve do t’u merrnin orë të tëra, sipas njoftimit të kompanisë. Sipas OpenAI, ky funksion është krijuar për profesionistët që punojnë në fusha si financat, shkenca, politika dhe inxhinieria, ku kërkohet një hulumtim i thellë, i saktë dhe i besueshëm.

Përveç kësaj, mund të jetë i dobishëm edhe për ata që bëjnë blerje që kërkojnë analizë të kujdesshme, si blerja e makinave, pajisjeve dhe mobilieve. Ky funksion i ri është aktualisht i disponueshëm për përdoruesit me abonim në ChatGPT Pro, të cilët për momentin mund të dërgojnë deri në 100 kërkesa në muaj. Hulumtimi i thellë tashmë është i disponueshëm në faqen e internetit të ChatGPT dhe do të integrohet në aplikacionet mobile dhe desktop brenda një muaji. Kompania shton se së shpejti do të jetë i qasshëm edhe për përdoruesit e programeve Plus dhe Team.

“Aftësia për të sintetizuar njohuri është thelbësore për krijimin e njohurive të reja. Për këtë arsye, hulumtimi i thellë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëllimit tonë më të gjerë për zhvillimin e inteligjencës artificiale të përgjithshme (AGI) dhe mund të ndihmojë në kërkimet shkencore”-thuhet në faqen zyrtare të OpenAI. OpenAI ka njoftuar gjithashtu se do të bashkëpunojë me gjigantin e teknologjisë koreano-jugore Kakao për t’u zgjeruar më tej në rajon. CEO i OpenAI Sam zbuloi partneritetin në një ngjarje në Seul me shefin ekzekutiv të Kakao, Chung Shin-a. Ata do të punojnë në një produkt të lokalizuar të AI. Kjo ishte marrëveshja e dytë e partneritetit e nënshkruar këtë javë midis zhvilluesit ChatGPT dhe një firme të profilit të lartë aziatik, pas shpalljes së një aleance me SoftBank të Japonisë.