Tech

OpenAI vjen me një model të ri “pro” të AI-së në ChatGPT!

Opsioni më i ri për chatbot-in e inteligjencës artificiale (AI) është më i ngadalshëm, por ofron përgjigje më të sakta. OpenAI vazhdon të publikojë shpejt modele të reja AI-je. Kompania në muajin prill prezantoi modelet o3 dhe o4-mini për platformën e saj ChatGPT.  Kur OpenAI shton etiketën “pro” në modelet e saj AI, kjo tregon një version që është krijuar të jetë pak më i ngadaltë në ofrimin e përgjigjeve, por që ofron përgjigje më të mira dhe më të sakta. “Ne rekomandojmë që o3-pro të përdoret për pyetje kërkuese, ku besueshmëria është më e rëndësishme se shpejtësia dhe pritja disa minuta më gjatë ia vlen në fund”-thonë nga kompania OpenAI.

Disa funksione që ekzistojnë në shërbimet e tjera ChatGPT nuk mund të përdoren nga o3-pro. Për shembull, gjenerimi i fotografive dhe Canvas nuk mbështeten, kështu që përdoruesit për këto do të duhet të përdorin modele të tjera. Modeli o3-pro është i disponueshëm për përdoruesit ChatGPT Pro dhe Team, ndërsa përdoruesit Enterprise dhe Edu do të kenë akses javën e ardhshme. 

OpenAI ka zbuluar një përmirësim të madh në modalitetin e zërit të avancuar të ChatGPT. Me sa duket, së shpejti, të flasësh me një asistent me Al mund të ndihet po aq natyrale sa të flasësh me një mik. Ky përditësim i ri sjell një të folur më ekspresive dhe njerëzore për përdoruesit me pagesë të chatbotit. Sipas kompanisë, asistenti tani përdor intonacion më delikat, ka një ritëm më real të të folurit dhe madje edhe intonacion emocional, si sarkazëm ose empati.

Gjithashtu, ka një veçori të re për ChatGPT Voice; përkthim në kohë reale. Pra, në thelb, mund t’i flisni anglisht ndërsa udhëtoni në një vend tjetër dhe ai do të vazhdojë të përkthejë fjalët tuaja në gjuhën e atij vendi tjetër. Gjithashtu do të dëgjojë personin tjetër që mund të flasë me ju dhe do t’i përkthejë fjalët e tij në anglisht për ju.