Aktualitet

Operacion antidrogë në Elbasan, dhjetëra të arrestuar!

Një operacion i madh antidrogë u shënua pak pas mesnate në Qarkun e Elbasanit. Ka raportime për 30 masa sigurie të ekzekutuara nga 39 në total, të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan. Në shënjestër të policisë u vunë shpërndarës të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme, jo eksponentë të njohur të krimit në vend. Të akuzuarit vepronin të organizuar në grupe të vogla, si edhe vetëm. Ata shpërndanin lëndët narkotike pranë shkollave, lokaleve e më gjerë.

Megaoperacioni erdhi pas një viti hetimesh dhe përgjimesh nga policia dhe prokuroria e Elbasanit. Po ashtu, policë të infiltruar blenë drogë te disa prej të akuzuarve, gjatë periudhës së hetimeve.  Gjatë kontrolleve, nga policia u sekuestruan të paktën 3 armë zjarri kallashnikovë, pistoleta, si dhe sasi të konsiderueshme drogërash të ndryshme.

Aksioni i befasishëm për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit e trafikimit të lëndëve narkotike është zhvilluar në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cerrik, Belsh dhe Elbasan.