Oracle dhe një grup investitorësh që përfshin Microsoft janë në bisedime për të marrë përsipër operacionet globale të TikTok. Marrëveshja thuhet se do të parashikonte që ByteDance të mbajë një pakicë të aksioneve në TikTok ndërsa “algoritmi i aplikacionit, mbledhja e të dhënave dhe përditësimet e softuerit do të mbikëqyren nga Oracle”. Marrëveshja po negociohet nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse presidenti Donald Trump ka mohuar se po punon me Oracle.
“Kam folur me shumë njerëz për TikTok dhe ka interes të madh për të”-tha Trump gjatë një fluturimi për në Florida. Por, Oracle nuk ishte në mesin e atyre me të cilët ka folur. “Jo, jo me Oracle. Shumë njerëz po flasin me mua për blerjen e tij dhe unë do ta marr atë vendim ndoshta gjatë 30 ditëve të ardhshme. Kongresi ka dhënë 90 ditë. Nëse mund të shpëtojmë TikTok, mendoj se do të ishte një gjë e mirë”-shtoi Trump. Të tjerë që thuhet se kanë konsideruar blerjen e TikTok përfshijnë Elon Musk, miliarderi i pasurive të paluajtshme Frank McCourt dhe pritësi Kevin O’Leary nga Shark Tank.
Trump tha së fundmi se do të donte që Larry Ellison, i cili bashkëthemeloi Oracle, ta blinte platformën. Përfshirja e raportuar e Microsoft nuk është ende e qartë. Jimmy Donaldson i njohur si MrBeast i tha së fundmi ndjekësve të tij se mund të blinte TikTok. Donaldson tha se nuk mund të ndante detaje rreth ofertës së tij, por premtoi: “Vetëm dijeni, do të jetë e çmendur”. Donaldson është një nga kërkuesit e shumtë që kanë shprehur interes për të blerë TikTok. Vitin e kaluar, presidenti i atëhershëm Joe Biden nënshkroi një ligj që i dha afat kompanisë mëmë me bazë në Kinë të TikTok, ByteDance, deri më 19 janar për të shitur platformën ose për t’u përballur me një ndalim në SHBA. Legjislacioni trajtoi shqetësimet në lidhje me lidhjet e TikTok me qeverinë kineze dhe shqetësimet se aplikacioni është një rrezik për sigurinë kombëtare.
Ndërsa tani presidenti i ri Donald Trump ka paraqitur mundësinë e një sipërmarrjeje të përbashkët. “Unë do të doja që Shtetet e Bashkuara të kishin një pozicion pronësie prej 50%”-tha ai në një postim në Truth Social. “Duke bërë këtë, ne ruajmë TikTok dhe e mbajmë në duar të sigurta”-shtoi Trump. Që atëherë, presidenti ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që lejon aplikacionin të qëndrojë funksional edhe për 75 ditë të tjera. Në fillim të këtij muaji, Bloomberg raportoi se Kina po konsideronte një shitje të TikTok te Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe një aleat i ngushtë i presidentit Trump, i cili tashmë zotëron platformën X.