Edhe për CIA-n, ka shumë të ngjarë që pandemia COVID të ketë rezultuar nga një rrjedhje laboratorike. Po ashtu, FBI-ja dhe Departamenti i Energjisë besojnë se një aksident laboratorik në Wuhan të Kinës është burimi i mundshëm i virusit, i cili ka vrarë mbi 1.2 milion amerikanë dhe më shumë se 7 milion njerëz në mbarë botën.
CIA vlerëson se “një origjinë e lidhur me kërkimin e pandemisë ka më shumë gjasa se një origjinë natyrore, bazuar në raportet e disponueshme”. Zbulimi nuk është rezultat i informacioneve të reja dhe raporti u përfundua me urdhër të administratës Biden e të ish-drejtorit të CIA-s, William Burns. Dokumenti u deklasifikua dhe dje u bë publik, me urdhër të presidentit Donald Trump.
Gjetja sugjeron se agjencia beson se tërësia e provave e bën origjinën laboratorike më të mundshme se origjinën natyrore. Por, vetë vlerësimi i CIA-s i jep një nivel të ulët besimi këtij përfundimi, duke sugjeruar se provat mungojnë, nuk janë bindëse ose edhe kontradiktore.
Origjina e virusit ende e mban të ndarë komunitetin e Inteligjencës amerikane, kryesisht për shkak se qeveria kineze nuk ka bashkëpunuar me hetimet ndërkombëtare.
Katër agjenci të Inteligjencës amerikane favorizuan “me besim të ulët”, teorinë e transmetimit nga kafshët. Me to u bashkua edhe Këshilli Kombëtar i Inteligjencës, një organ zyrtarësh të lartë që raportojnë në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
John Ratcliffe, drejtori i ri i CIA-s i konfirmuar në fillim të kësaj jave nga Senati, u shpreh se prej kohësh, ai mendon se teoria e rrjedhjes nga laboratori është shpjegimi më i besueshëm. Agjencia që ai drejton, aktualisht po anon në favor të kësaj hipoteze. Në ditët e fundit të administratës së Joe Biden-it, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan kishte bërë thirrje për krijimin e një paneli ekspertësh të jashtëm, për të hedhur një vështrim të ri në gjetjet e agjencive të inteligjencës amerikane.