Pas sulmit izraelit ndaj Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza, Papa Leone XIV zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ku theksoi urgjencën për mbrojtjen e vendeve të kultit dhe për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Selisë së Shenjtë, biseda telefonike mes Papës dhe Kryeministrit izraelit u zhvillua të premten, më 18 korrik 2025, në sfondin e tensioneve të vazhdueshme në Tokën e Shenjtë.
“Paraditen e sotme, nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, Shenjtëria e Tij Papa Leone XIV bisedoi me Shkëlqesinë e Tij Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit, pas sulmit të djeshëm ushtarak nga ushtria izraelite ndaj Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën të tjerë, disa prej tyre rëndë”, thuhet në deklaratë.
Gjatë bisedës, Papa rinovoi thirrjen e tij për rifillimin e negociatave, për një armëpushim të menjëhershëm dhe për përfundimin e luftës. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e thellë për situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës, duke theksuar se fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët po paguajnë një çmim të padurueshëm.
“Shenjtëria e Tij nënvizoi edhe njëherë nevojën urgjente për mbrojtjen e vendeve të shenjta, por edhe të të gjithë besimtarëve dhe civilëve në Palestinë dhe Izrael”, vijon deklarata.
Kujtojmë se Kisha e Familjes së Shenjtë, e vetmja kishë katolike në Gaza, u godit të enjten në mëngjes nga një sulm izraelit, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën dhjetë të tjerë, mes tyre edhe famullitari, atë Gabriel Romanelli.
Në një deklaratë të veçantë, Patriarkana Latine e Jerusalemit bëri thirrje drejtuar liderëve botërorë që të ndërhyjnë: “Të ngremë zërin dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndalur këtë tragjedi, e cila është e pajustifikueshme në aspektin njerëzor dhe moral”.