Në 112 vjetorin e Pavarësisë, sot në Tiranë u mbajt parada ku morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet. Parakalimi nisi nga Sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve e Presidencës, u përshkua Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku rreth orës 14:00 u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar.

Në hapje të paradës u shënua një moment emocionues, me recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë” nga aktori i njohur Reshat Arbana. Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale e kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.

E kthyer tashmë në një traditë në Nju Jork, parada e sotme pa shqiptarë nga e gjithë bota të veshur kuq e zi e me veshje popullore që mbushën rrugët e Tiranës.

Të pranishëm ishin mbi 350 grupe artistike nga kudo ku flitet shqip. Pjesë e paradës u bënë përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki e komuna shqiptare, bashkë me ansambletë e tyre. Në të dy anët e bulevardit pati qytetarë të shumtë, të interesuar për të ndjekur nga afër paradën.

Ky aktivitet jo vetëm synon promovimin e trashëgimisë kulturore por edhe edukimin e rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
“Parada e Shqiptarëve” ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit. Fluksi i pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë kufijve, si dhe vizitorët e huaj tërhequr nga kjo ngjarje, krijuan një atmosferë të gjallë në Tiranë. Hotelet, bujtinat dhe restorantet përfituan nga rritja e kërkesës për shërbime, duke prezantuar mikpritjen tradicionale shqiptare dhe duke nxitur ekonominë lokale.
Kjo paradë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon. “Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, duke treguar se Tirana mbetet zemra e aktivitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta.
Parada u organizua nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj e po ashtu, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork).
