Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca për dosjen “Partizani”, ku nën akuzë është edhe ish-kryeministri Sali Berisha për korrupsion pasiv. Në nisje, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese.
Më herët ishte gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila kërkoi dorëheqjen nga gjykimi i dosjes, me argumentin se kishte konflikt interesi për shkak të lidhjes familjare me deputeten e PD-së, Andia Ulliri. Megjithatë kjo kërkesë u rrëzua nga GJKKO-ja, duke mos pranuar dorëheqjen e gjyqtares.
Vete Berisha nuk është i pranishëm në seancë dhe përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës.
Kam dijeni për seancën dhe deklaroj se nuk do të paraqitem. Dua të përfaqësohem nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Do të paraqitem sa here të jetë nevoja dhe kur ta mendoj të arsyeshme se duhet të jem i pranishëm, thuhet në shkresën e Berishës dorëzuar gjykatës.
Ish-kryeministri është në masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” pasi akuzohet se lejoi një zinxhir institucionesh, që të shkelnin ligjin duke favorizuar dhëndrin e tij për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Nën hetim për këtë çështje është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, gjithashtu i pandehur për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Po ashtu, për dosjen “Partizani” po gjykohen biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si dhe financierja Andia Pustina.