Celebrities Gossip Showbiz

Pas 25 vitesh dashuri, Eva Herzigová i thotë “po” partnerit të jetës!

Supermodelja çeke Eva Herzigová ka kurorëzuar dashurinë e saj shumëvjeçare me sipërmarrësin italian Gregorio Marsiaj, me të cilin ndan jetën prej rreth 25 vitesh dhe ka tre djem. Çifti u martua në një ceremoni intime të zhvilluar në Torino, larg zhurmës dhe luksit të tepruar që karakterizon dasmat e shumë personazheve të njohur.

Për ditën e saj më të veçantë, Herzigová zgjodhi një fustan me linja të pastra dhe romantike, duke i qëndruar besnike stilit elegant që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Ceremonia u mbajt në një rezidencë historike të qytetit italian, në praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt. Eva Herzigová u bë një nga emrat më të mëdhenj të industrisë së modës në vitet ’90, pasi reklama legjendare e Wonderbra, “Hello Boys”, e shndërroi në një ikonë ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka qenë imazh i shtëpive prestigjioze si Dolce & Gabbana, Chanel, Versace dhe Louis Vuitton, si edhe protagoniste e kopertinave të revistave më të njohura të modës. Edhe në ditën e martesës, ish-supermodelja dëshmoi se eleganca e vërtetë nuk ka nevojë për ekstravagancë.