Pyetja nëse pas seksit vjen lidhja nuk është vetëm romantike, por edhe shkencore. Studimet tregojnë se intimiteti fizik aktivizon procese biologjike që mund të krijojnë ndjenjë afrimiteti emocional, por kjo nuk do të thotë se çdo marrëdhënie seksuale çon automatikisht në lidhje.
Gjatë seksit dhe sidomos pas orgazmës, trupi çliron hormone si oksitocina dhe vazopresina, të njohura si “hormonet e lidhjes”.
Oksitocina forcon ndjenjën e besimit, afërsisë dhe sigurisë emocionale, ndërsa vazopresina lidhet me ndjenjën e përkushtimit dhe mbrojtjes ndaj partnerit. Këto hormone janë arsyeja pse shumë njerëz ndihen më të afërt, më të qetë dhe emocionalisht të lidhur pas intimitetit.
Megjithatë, efekti i këtij “bonding”-u nuk është i njëjtë për të gjithë. Faktorë si përvoja personale, pritshmëritë emocionale, gjendja psikologjike dhe konteksti i marrëdhënies luajnë rol vendimtar.
Nëse seksi ndodh në një ambient të sigurt dhe me ndjenja paraprake, lidhja emocionale ka më shumë gjasa të thellohet. Në marrëdhënie thjesht fizike ose pa pritshmëri emocionale, truri mund ta përjetojë ndryshe këtë proces.
Shkenca tregon gjithashtu se gratë, mesatarisht, përjetojnë një rritje më të fortë të oksitocinës pas seksit, çka mund të shpjegojë pse disa prej tyre lidhen emocionalisht më shpejt.
Por kjo nuk është rregull absolute dhe varet nga individi, jo nga gjinia.
Një element kyç është ajo që ndodh pas seksit. Kontakti fizik, përqafimet, bisedat dhe prania emocionale pas aktit seksual forcojnë më tej lidhjen.
Ky moment, i quajtur “afterglow”, mund të zgjasë nga disa minuta deri në orë dhe ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si truri e regjistron përvojën.
Pra, pas seksit mund të vijë lidhja, por jo domosdoshmërisht. Intimiteti krijon një terren biologjik për afrim emocional, por janë komunikimi, siguria emocionale dhe përputhja mes dy njerëzve ato që e kthejnë këtë ndjenjë në një lidhje të qëndrueshme.