Një makak 7-muajsh i quajtur Punch është kthyer në sensacion në rrjet, pasi videot ku ai shfaqet i vetmuar duke përqafuar një lodër prej pelushi, një orangutan nga Ikea kanë prekur miliona njerëz në mbarë botën. Pamjet virale e tregojnë Punch-in teksa qëndron i veçuar nga grupi, përqafon lodrën e tij të butë ose përpiqet t’u afrohet majmunëve të tjerë në habitat. Në disa raste ai duket se refuzohet hapur nga primatët e tjerë, madje në disa video shihet edhe duke u tërhequr zvarrë, çka ka ngjallur reagime të shumta online.
Ndërkohë, historia e tij ka pasur edhe një efekt të papritur në treg. Punch është kthyer në një influencer të paqëllimshëm. Ikea bëri të ditur për The Post se shitjet e lodrës orangutan DJUNGELSKOG janë rritur ndjeshëm. Kompania u ka kërkuar mirëkuptim klientëve në Japoni, SHBA dhe Korenë e Jugut, ku lodra është shitur plotësisht për shkak të kërkesës së lartë.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e lidhjeve shoqërore edhe tek kafshët. Joan Silk, profesoreshë e evolucionit në Universitetin Shtetëror të Arizonës, u shpreh se forca e marrëdhënieve sociale ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Sipas saj, ashtu si tek njerëzit, lidhjet shoqërore ndihmojnë në përballimin e stresit dhe në menaxhimin e pasigurive që shkaktojnë ankth.