Food & Drink Live From Tirana

“Pasta n’tigan”, restoranti që po ‘çmend’ klientët me recetat më të veçanta të pastave!

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë shefi i kuzhinës Ndoc Shtjefni nga restoranti “Pasta n’Tigan”. Përveç gatimeve mjaft të shijshme, ai ka krijuar një metodë mjaft unike servirje, pasta në tigan. Si lindi ideja e kësaj dhe çfarë recetash mund të gjejmë në restorantin “Pasta n’Tigan”, na tregon vetë shef Ndoc Shtjefni…

Çfarë të bëri që të hapje këtë biznes?

Është ajo dashuria për punën që kemi ne kuzhinierët. Dhe realisht unë punoja shumë me gourmet, ose kuzhinë kreative siç quhet ndryshe. Por mendova që po të punoja vetëm me këtë linjën e kreativitetit që mund të bësh receta të ndryshme që janë pak të rrezikshme, jo të gjithë i njohin dhe nuk mund të kesh klientelë të mirë në restorant. Mendova që do punoj me kreativitet, por me diçka që populli e do, që janë brumrat. Më shumë se brumrat nuk duam asgjë. Dhe brumi të jep mundësi që ta kombinosh me çfarëdo.

Kishe frikë të hapje një biznes tëndin?

Jo unë kam provuar para 13 vitesh të hapja një gjë të vogël dhe i kam kuptuar ku kam gabuar. E mbajta pak kohë hapur dhe e mbylla se nuk funksionoi. Dhe nuk kisha frikë se ato gabime i kisha kuptuar dhe besimin e kisha në vetvete dhe tek gatimi. Nëse do që të shërbesh mirë do funksionojë dhe do ecësh përpara, është e pandalshme. Unë kam një besim në stafin tim dhe në veten time që ia dal.

Sa staf jeni ju?

Tek të dy restorantet bëhemi diku tek 20-22 veta.

Çfarë komentesh të lënë klientët dhe çfarë thonë të huajt kur vijnë aty?

Të huajt çmenden fare. Thonë që nuk e prisnin që në Shqipëri të jetë një ushqim kaq i mirë. Pastat që ne bëjmë janë fiks siç janë në realitet, spinaq i mirë, panxhaf i mirë, vezë të mira. Nuk është se shpikim diçka që nuk është në vendet e tjera, por bëjmë diçka që është me këmbë në tokë. Shumë veta përdorin pluhra ngjyrues, por ne përdorim realisht produktin. Në Lezhë kemi Festën e Shegës dhe unë kam një tigan madhështor, aty ka lindur si ide që të konsumohet. Ajo ka lindur si bamirësi, i kemi bërë për bamirësi por nuk i kishim publikuar videot. Pastaj na kërkonin që të paguanin. Publikova videot dhe u bë shumë viral ky tigan dhe e kam përdorur si reklamë, kudo që shkoj marr tiganin në dorë në vendet që po hap.