Aktualitet

GJKKO lë në burg djalin e Erzen Breçanit! Nën akuzë për trafikim të 446 kg kokainë!

GJKKO ka lënë në qeli Eralbi Breçanin, djalin e ish-funksionarit të policisë Erzen Breçani. I shpallur në kërkim që në nëntor të vitit 2023 si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latinë në Europë, Eralbi Breçani, djali i ish- zv. drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, u vetëdorëzua në Spanjë në 2 prill të këtij viti dhe u ekstradua drejt vendit tonë dy ditë më parë.

Sipas SPAK, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit ishte Ergys Dashi dhe Ervin Mata, dyshohet financues dhe porositës i sasive të mëdha të kokainës nga përtej oqeanit. Atij i atribuohet, zbuluar përmes komunikimeve të “SkyECC” sasia e 446 kg kokainë e sekuestruar në Holandë në dhjetor të 2021, me bashkëpunëtorë edhe Ismail Zenelin e Besmir Murtatin.

I gjithë aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës që vinte nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian nga Eralbi Breçani, dyshohej se pastrohej brenda vendit nga babai i tij, ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Me veprime aktive të kundërligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.

LEXO EDHE: “Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, s’kam përse t’i përkrah tani”, çfarë deklaroi Erzen Breçani në GJKKO: S’pranoj të gjykohem me këto prova

Përveç trafikut të narkotikëve, grupi ku bënin pjesë babë e bir, shfrytëzonin pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal.