Aktualitet

PD protestë me molotovë para Kryeministrisë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës! Turma zhvendoset te Kuvendi!

Edhe pse u zhvillua e qetë për gati 80 minuta, është mbyllur me hedhje molotovësh dhe fishekziaresh drejt kryeministrisë, protesta kombëtare e Partisë Demokratike. Forcat e rendit kanë reaguar duke shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës teksa përdorën edhe topin e ujit, me automjetin që u ngjit në shkallët e godinës. Policia njofton se disa efektivë po marrin ndihmën e parë mjekësore. Po kështu raportohen edhe qytetarë që janë transportuar me ambulancë pas hedhjes së gazit lotsjellës nga forcat e rendit. Dhjetra të shoqëruar nga policia.

Ndërkohë protestues të shumtë janë vendosur në hyrje të Parlamentit.

Në fjalën e tij gjatë protestës, kryetari Sali Berisha shprehu bindjen se asgjë nuk i ndal drejt fitores. “Jemi në kilometrin e fundit, jemi më të fortë se kurrë,-tha Berisha. Ai ka falenderuar mbështetësit për atë që e quan qëndresën e pamposhtur. Berisha ka përmender sërish “farsën elektorale” dhe se diktaturat shemben vetëm me revoltë popullore.  Berisha i kërkoi Ramës dorëheqjen dhe formimin e një qeverie teknike.