“Përfundimet e miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska paraqesin kërcënim për rendin kushtetues të Bosnjës e për pasojë janë edhe anti-Dejton e minojnë autoritetin e institucioneve, sundimit të ligjit në nivel shtetëror dhe rrugën e vendit drejt integrimit euroatlantik”. Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë, si dhe të delegacionit të Bashkimit Europian e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Bosnjë.
Në deklaratë theksohet:
Të gjitha ligjet dhe konkluzionet e miratuara nga trupat më të ulëta, përfshirë ato parlamentare të entiteteve duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Asnjë entitet nuk ka autoritetin të sfidojë ligjet ekzistuese dhe institucionet e Bosnjës. Në kohën kur asnjëherë më parë nuk ka qenë e afërt mundësia e hapjes së negociatave zyrtare për anëtarësimin në BE, rikthimi i bllokadave politike do të kishte pasoja negative për të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, shumica e të cilëve mbështesin pranimin në Union.
Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Gjermania dhe delegacioni i BE-së mbështesin sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës, si dhe Përfaqësuesin e Lartë, i cili, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, është interpretuesi i aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes.
Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska, sot miratoi një rezolutë ku kërkohet që Milorad Dodik, presidenti prorus i këtij entiteti serb, të mos i përgjigjet thirrjes për paraqitje të lëshuar nga Gjykata e Bosnjës, derisa të jetë më mirë me shëndet.
Kjo paraqet zbutje të qëndrimit, pasi në tekstin paraprak të rezolutës propozohej që Dodikut t’i kërkohej që të mos i përgjigjej asnjë thirrjeje të gjykatave të Bosnjës, nga të cilat po gjykohet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në këtë shtet.
Ky ishte një nga 12 konkluzionet që u miratuan nga Parlamenti i Republikës Sërpska pas shqyrtimit të “informacionit mbi rënien e rendit juridik në Bosnjë e Hercegovinë lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”.
Dodik, i cili kohët e fundit iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Beograd, duhej që të paraqitej para gjykatës një ditë më parë, por sipas avokatit të tij, seanca u shty për më 30 dhjetor.