Rajoni

Parlamenti i Republikës Sërpska kërkesë Dodik-ut të mos paraqitet para gjykatës në Bosnjë!

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi një rezolutë që kërkon që Milorad Dodik, presidenti prorus i këtij entiteti serb, të mos i përgjigjet thirrjes së një gjykate të Bosnjës, derisa shëndeti i tij të përmirësohet. Kjo paraqet zbutje të qëndrimit, pasi në tekstin paraprak propozohej që Dodiku të mos paraqitet në asnjë gjykatë. Ai është në proces për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnjë.

Ky ishte një nga 12 përfundimet që u miratuan nga Parlamenti i Republikës Sërpska pas shqyrtimit të “informacionit mbi rënien e rendit juridik në Bosnjë-Hercegovinë lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”. Dodik, i cili kohët e fundit i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Beograd, duhej të paraqitej dje para gjykatës, por seanca u shty për më 30 dhjetor.

Mbrojtja e Dodik-ut argumentoi se ai nuk mund të paraqitet në gjykim për disa muaj, aq sa sipas saj, “i duhet për t’u rikuperuar”. Por, eksperti ligjor Haris Vraniç i emëruar nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës ka përcaktuar se Dodik është i aftë të marrë pjesë në seanca gjyqësore.

Aktualisht, Dodik po përballet me proces gjyqësor pasi firmosi një dekret presidencial duke shpallur të vlefshëm dy ligje në entitetin serb e që paraprakisht ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt. Krahas tij, Prokuroria ka akuzuar edhe Millosh Lukiçin, si ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare në Republikën Sërpska, me argumentin se mundësoi publikimin e dekretit të Dodik-ut.

Dekreti ka të bëjë me ndryshime në ligjin mbi publikimin e rregullave në Republikën Sërpska dhe për vendimet e pazbatueshme të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Mes përfundimeve të miratuara nga Parlamenti i Republikës Sërspka ishte edhe kërkesa që përfaqësuesit e emëruar të Republikës Sërpska në institucionet e Bosnjës të pezullojnë marrjen e vendimeve derisa Gjykata dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit të pezullojnë “procesin e motivuar politikisht” kundër Dodikut e Lukiçit.

Por, nuk do të ketë bllokada “nëse vendimet merren lidhur me transferimin e jurdikisionit nga niveli i Republikës Sërpska në nivelin e Bosnjë-Hercegovinës”. Shumica parlamentare dënoi “ndërhyrjen” e Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Bosnjës në punën e Parlamentit të Republikës Sërpska, duke thënë se vendimet e Parlamentit të këtij entiteti mund të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.

Para nisjes së seancës së posaçme plenare, Zyra e Prokurorit kërkoi informacione bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Bosnjë-Hercegovinës, lidhur me të dhënat që kanë të bëjnë me dyshimet se janë kryer disa vepra penale, përfshirë “marrëveshjen për të kryer një vepër penale”, “përgatitja për të kryer një vepër penale” dhe “sulm ndaj rendit kushtetues”.

Në fjalën e tij para Parlamentit, kreu i këtij institucioni, Nenad Stevandiç tha se ky reagim i Prokurorisë bazohet “në gënjeshtra”.