Bota

Përfundimisht, Donald Trump e ka ndarë mendjen, BBC do të paditet!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi se do ta padisë BBC-në javën e ardhshme, pasi korporata kërkoi ndjesë, por refuzoi ta kompensonte për versionin e redaktuar të një fjalimi të vitit 2021 të transmetuar nga programi “Panorama”.

Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha:

Ne do t’i padisim ata mes një dhe pesë miliardë dollarëve e ndoshta që javën e ardhshme.

BBC-ja kërkoi falje, por refuzoi të paguante një kompensim financiar. Kompania deklaroi se ndërthurja e fjalimit ishte një “gabim gjykimi”.

Megjithatë, hodhi poshtë kërkesat për kompensim, pasi avokatët e Trump-it kërcënuan ta padisnin BBC-në me një miliard dollarë dëmshpërblim, nëse nuk publikohej një tërheqje dhe kërkim faljeje.

Avokatët e shefit të Shtëpisë së Bardhë i kishin dhënë BBC-së një afat deri të premten në orën 22:00 (22:00 GMT) për t’u përgjigjur.

Më herët gjatë javës, Trump u shpreh në një intervistë me “Fox News” se BBC ka mashtruar publikun, gjë që e bëri të dukej sikur ai po nxiste në mënyrë të qartë njerëzit të sulmonin Capitol-in, më 6 janar të vitit 2021, pas humbjes në zgjedhjet e nëntorit 2020 përballë rivalit demokrat, Joe Biden.

Në një tjetër prononcim, Trump i tha “GB News”, në një intervistë të transmetuar dje se ndjente një “detyrim” për të ndërmarrë veprime ligjore kundër transmetuesit publik në Britaninë e Madhe.

Nuk po kërkoj të bëj padi, por mendoj se kam detyrimin ta bëj. Nëse nuk e bëj, nuk e ndalon që të ndodhë përsëri me njerëz të tjerë.

Skandali i “Panorama”-s shkaktoi dorëheqjen e dy prej drejtuesve më të lartë të BBC-së,  drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe shefes së lajmeve, Deborah Turness.