Në Maqedoninë e Veriut po votohet këtë të dielë për raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në 80 komuna, plus Shkupin (81 në total). Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, raportoi se deri në orën 15:00, kanë votuar 31,16 % e qytetarëve me të drejtë vote. Procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00. Më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para. Numërimi në proceset zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, zhvillohet në qendrat e votimit.
Sot Maqedonia e Veriut voton për raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Votimi është hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllet në 19:00. Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 81 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë, përfshirë edhe qytetin e Shkupit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) informoi se pjesëmarrja deri në orën 15:00, sipas të dhënave të KSHZ-së, në zgjedhje kanë marrë pjesë 31.16% e qytetarëve me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor zhvillohet në 3,474 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa në listën e votuesve janë regjistruar 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote. Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, duke përfshirë gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për anëtarë këshillash.