Qytetarët e Maqedonisë së Veriut me të drejtë vote, sot janë thirrur të votojnë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë dhe këshilltarë komunalë në 80 komuna, si edhe në qytetin e Shkupit.
Votimi filloi në orën 07:00 e Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi se të gjitha vendvotimet janë të hapura. Qytetarët mund të votojnë deri në orën 19:00. Më pas, fillon numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para.
Deri në orën 11:15, sipas të dhënave të KSHZ-së, votuan 9.38% e votuesve.
Avokati i Popullit iu bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë shkeljet zgjedhore. Për këtë, vuri në dispozicion numra telefoni.
Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga shpallja e pavarësisë së shtetit, në vitin 1991. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët po votojnë për herë të dytë në më pak se dy vjet. Në muajt prill dhe maj të vitit të kaluar u mbajtën zgjedhjet presidenciale e ato parlamentare.
Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.832.415 qytetarë, sipas listës zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Dje votuan të sëmurët dhe personat që nuk kishin mundësi të dilnin në zgjedhje, ata në shtëpitë e të moshuarve, si dhe kush ndodhet në paraburgim ose që po vuan dënim me burg.
Në mesin e numrit të përgjithshëm të shtetasve me të drejtë vote janë 112 mijë vetë me punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, si dhe 2.162 persona në burg apo paraburgim e 450 votues nga azilet e të moshuarve.
Në të gjithë vendin numërohen 3 mijë e 480 vendvotime.
Për 81 poste kryetarësh komunash ka 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshilla garojnë mbi 10 mijë e 490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.
Pjesëmarrës në zgjedhje, këta kandidatë janë propozuar nga gjithsej 22 parti politike, 19 koalicione e 119 grupe votuesish, përkatësisht kandidatura të pavarura. Karakteristikë për kandidatët për kryetarë komunash është dominimi i burrave, të cilët janë 277 ose 89.64%, ndërsa gratë vetëm 32, përkatësisht 10.36%.