“Xhesika do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona”. “Na mungon shumë”. “Shkëlqeve dhe do të shkëlqesh gjithmonë”. Kështu e kujtojnë shokët shkollës dhe miqtë 15-vjeçaren Xhesika Kola që humbi jetën së bashku me babain Arti, nënën Jonida dhe vëllain Hajdar, si pasojë e një rrjedhjeje monoksidi karboni që mbrëmjen e së mërkurës në Porcari të Italisë.
Mbrëmjen e së enjtes, shumë të rinj, së bashku me prindërit e tyre, u mblodhën për të kryer homazhe për humbjen e madhe. Dhimbja për këtë tragjedi ka prekur edhe një tjetër shkollë të mesme, atë të Porcarit, që frekuentohej nga kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllait të Artit, i cili mbrëmjen e së mërkurës hyri në shtëpi bashkë me karabinierët duke u përpjekur të shpëtonte familjen.
I shtruar në spital po atë mbrëmje pasi kishte thithur edhe vetë monoksid karboni, Durimi u kthye në shtëpi të enjten është jashtë rrezikut për jetën, por thellësisht i tronditur, shkruan Corriere.
“Nuk arrita t’i shpëtoja”, u ka thënë njerëzve më të afërt.
Prokuroria e Luccas do të urdhërojë autopsinë e trupave, ndërsa shtëpia mbetet e sekuestruar: hetimet teknike po vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e një ekspertize mbi kaldajën. Për momentin nuk ka persona të regjistruar si të dyshuar, megjithëse është hapur një dosje për vrasje nga pakujdesia e shumëfishtë.
Familja Kola ishte e dashur nga të gjithë në Porcari. Nuk është rastësi që parada e Karnavalit Porcarese, e planifikuar për të dielën e ardhshme, është anuluar. Të shtunën do të mbahet një vigjilje lutjeje në kishën e San Giusto në Porcari.
Gjithashtu në Camigliano, në komunën e Capannorit, në shkollën e mesme ku ndiqte Xhesika, shoqet e saj të klasës mblodhën poezitë e saj. Buqeta me lule dhe madje edhe një tullumbace e kuqe në formë zemre u vendosën përpara shtëpisë së familjes Kola.
Në Porcari, thotë kryebashkiaku, kujtimet kthehen në të kaluarën që nga 28 shkurti 1992, kur monoksidi i karbonit vrau Raffaello Malanca-n, gruan e tij Piera Calistri dhe dy vajzat e tyre, Ilaria-n dhe Greta-n: ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit.