Rajoni

Përpjekja e 8-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të mblidhen për vazhdimin e 8-të të seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Prej 15 prillit, ligjvënësit kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës: miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe betimin e deputetëve.

Deputetët kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ. Kandidatja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e cilësojnë “figurë përçarëse”. Ndërkaq, Lidhja Demokratike refuzon të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.

Faton Peci nga Partia Guxo e që në zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së, tha se propozimi për kryeparlamentare mbetet i njëjtë edhe në vazhdim të seancës. Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se nuk ka ndryshuar qëndrimin për Albulena Haxhiun.

Sa i përket PDK-së, Albulena Haxhiu nuk kalon. I përket LVV-së që të ndërmarrë nismë që të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara.

Para nisjes së seancës, Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu deklaroi se në këtë seancë hyjnë me qëndrimin e njëjtë se nuk do të votojnë për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare. Ai tha se LDK-ja nuk e ka mandatin për krijimin e institucioneve të reja dhe kjo detyrë bie mbi përgjegjësinë e LVV-së.

Kemi një heshtje të Kurtit dhe si duket i konvenon kjo situatë.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj:

Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duket do të jemi në situatë të njëjtë.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se vota e tij dhe dy deputetëve të tjerë të partisë do të jetë e njëjtë, pra abstenim për propozimin e Haxhiut. Sipas Limajt, i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.

Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar. Nisma do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, por jo me çdo kusht. Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet.

Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren e as për formimin e ekzekutivit të ri.