Rajoni

Kosovë, deputetët nuk arrijnë ta konstituojnë Kuvendin as pas tentativës së shtatë

Deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas tentativës së shtatë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, përsëri nuk arriti votat e nevojshme.

Seanca e radhës do të mbahet të martën, njoftoi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.

Në prag të seancës, përfaqësues të partive parlamentare kishin paralajmëruar dështimin e radhës, duke thënë se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet nga seancat e kaluara.

Mbi dy muaj e gjysmë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare.

LEXO EDHE: Tjetër hap për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova heq vizat me shtetin e Azisë Juglindore!
Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, po dështon për shkak se Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 në Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu mori vetëm 57 vota edhe këtë të diel.

Deputetët e opozitës së deritanishme thanë se kjo gjendje tregon që Kurti nuk i ka votat, madje as për krijimin e Qeverisë së re.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e akuzoi Vetëvendosjen pas seancës se po e mban “peng” vendin duke këmëngulur për të propozuar vetëm Haxhiun.

“Krejt kjo po ndodh për shkak të tekave të LVV-së për ta mbajtur shtetin peng për një njeri. Rruga e vetme është të tërhiqen dhe të dalin me një kandidat tjetër”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se është “e qartë që VV-ja nuk i ka numrat, jo vetëm për Albulena Haxhiun, por as për Albin Kurtin për krijimin e Qeverisë”.

“Nëse vazhdon kjo bllokadë, është shumë më mirë të shkohet në zgjedhje”, theksoi Krasniqi.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se Vetëvendosje nuk ka votë as për Haxhiun dhe as për ndonjë kandidat tjetër.

Ajo bëri thirrje për një marrëveshje politike mes VV-së dhe partive të tjera, por jo me LDK-në.

“Institucionet konstituohen me marrëveshje politike. VV insiston të marrë të gjitha institucionet pa pasur shumicën, por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se është dështim i VV-së nëse nuk lënë hapësirë për bashkëpunim me asnjë parti politike.

LDK-ja ka marrë një ftesë për takim nga Kurti pas zgjedhjeve, por e ka refuzuar atë.

Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa LDK-ja nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.