Administratori i një pallati me apartamente në Bruklin të Nju Jorkut, u vra pasi u përpoq të luftonte me dikë që po vidhte pako në hollin e ndërtesës. Raportohet se viktima është një shqiptar nga Kosova.
Policia amerikane u njoftua në lidhje me një sulm brenda ndërtesës në Ocean Avenue, në Flatbush menjëherë pas orës 08:00 të mëngjesit të së mërkurës. Oficerët që shkuan në vendngjarje gjetën një burrë me lëndime në kokë, i cili u dërgua me urgjencë në Spitalin e Qarkut Kings në gjendje kritike, siç raporton NBC.
Viktima, i identifikuar nga anëtarët e familjes si 41-vjeçari Burim Havolli, vdiq më vonë nga plagët e marra, duke mos mbijetuar. Sipas fqinjëve, Havolli ishte mbikëqyrësi i ndërtesës dhe u sulmua ndërsa përpiqej të ndalonte një të dyshuar që po grabiste pako nga holli.
Përplasja që çoi në vdekjen e Havollit shqetësoi edhe më shumë banorët, të cilët thonë se zona po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Ndërkohë, familja e viktimës u trondit për vrasjen gjatë orëve të punës.
Policia amerikane nisi hetime dhe një person me interes u mor në pyetje, por ende nuk nuk është ngritur aktakuzë.