Rajoni

Përpjekjet e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës!

Sot afati i fundit kur Kosova duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje. Për t’u thirrur seanca, kërkohet edhe një kandidat i dytë.

Partitë e mëdha opozitare duket se nuk kanë votë për Konjufcën, pasi këmbëngulin në marrëveshje politike ose figurë konsensuale, por as nuk dalin me emrat e vet.

LVV-ja tha se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, por ajo ka refuzuar. Presidenca deklaroi se këto pretendime janë gënjeshtra.

Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se beson që PDK-ja e bëri pjesën e vet të punës, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të kryeministrit Kurti për të diskutuar postin e presidentit.

Jemi munduar të ofrojmë zgjidhje mirëpo çfarë është kërkuar nga ne është nënshtrim ndaj vullnetit politik të Kurtit. Ai ka fituar mbi 50% të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm, e udhëheq Kuvendin, mirëpo presidenti i republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe mbi të gjitha i cili, apo e cila do të ishte gardiane e Kushtetutës së Kosovës.

Kurti u takua të paktën dy herë me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, por pa konsensus.

Ne nuk mund ta propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar dhe siguruar kourumin Albin Kurtit, ne kemi qenë të qartë. Ne kërkojmë që presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve, dhe jo imponimeve, u shpreh ndër të tjera Çitaku.

Para fillimit të seancës solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kuvend, disa deputetë opozitarë u prononcuan për gazetarët lidhur me çështjen e presidentit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda tha se moszgjedhja e presidentit sot do të çojë vendin automatikisht në zgjedhje.

Nuk do duhej të kishim zgjedhje se njerëzit janë lodhur nga zgjedhjet. Por, kjo është situata.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri deklaroi se deputetët janë totalisht të painformuar se çfarë po ndodh.

Nuk di askush kur ka seancë [për zgjedhjen e presidentit]. Sot është dita e fundit. Na ka ardhur vendi në rrethana jashtëzakonisht eksperimentale.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, sinjalizoi se Vjosa Osmani mund të mbajë një konferencë për shtyp, më vonë gjatë ditës.

Pritet të ketë, mbase, pasdite. Ju njoftojmë.