Sport

Peshëngritje/ Enkileda Carja vendos dy rekorde botërore për të reja!

Enkileda Carja pasi dominoi evropianin për të rinj në Peshëngritje që u zhvillua përpara pak ditësh në Durrës duke vendosur 6 rekorde të reja evropiane, shkëlqen edhe në kompeticionin e radhës, Lojërat e Solidaritetit Islamik që po mbahen në Riad të Arabisë Saudite.

LEXO EDHE: Peshëngritje, Enkileda Carja e jashtëzakonshme, kampione dhe rekordmene e Evropës për të rinj

Peshëngritësja shqiptare që garoi në peshën deri në 63 kg në këtë kompeticion vendosi dy rekorde botërore për të reja në stilin e shkëputjes dhe të shtytjes. Në stilin e shkëputjes e vendosi rekordin botëror duke ngritur 97 kg.

Më pas Carja shkëlqeu edhe në stilin e shtytjes, duke vendosur rekordin tjetër botëror për të reja teksa ngriti peshën prej 116 kg. Në përfundim të garimin, Enkileda Carja arriti të marrë 2 medalje të argjendta në këtë edicion të Lojërave të Solidaritetit Islamik.

LEXO EDHE:  Formula 1/ Norris drejt titullit të parë kampion Bote, britaniku dominon Brazilin dhe shkëputet në krye, Verstappen ngjitet në podium

Vlen të theksohet se në ceremoninë e hapjes së kompeticionit, Enkileda Carja ishte mbajtëse e flamurit shqiptar bashkë me Ertjan kofshën, që është një tjetër peshëngritës nga i cili presim rezultate shumë të larta.

Sa i takon europianit për të rinj, Carja pati një ditë të jashtëzakonshme teksa u shpall kampione e Evropës në kategorinë Junior të këtij kompeticioni e madje duke  vendosur 6 rekorde evropiane. Enkileda Carja vendosi rekorde në stilin e shkëputjes teksa ngriti peshat 95kg, 96 kg dhe 98 kg duke marrë medaljen e pare në këtë stil.

Ajo ishte perfekte edhe në stilin e shtytjes ku edhe këtu nuk bëri asnjë gabim për të vendosur rekordet e reja evropiane teksa ngriti peshat 113 kg  në provën e parë, 116 në të dytin dhe 118 kg në tentativën e tretë, rekorde që shoqëruan nje tjetër medalje të artë.

Në dygarësh, pesha totale e ngritur nga Enkileda Carja ishte 216 kg dhe duke marrë edhe medaljen e tretë të artë.