Aktualitet

Pjeshkët me pesticide, AKU: Rasti po hetohet!

Pas bllokimit të një ngarkese me pjeshkë nga Shqipëria në Kroaci e në Bosnjë-Hercegovinë, për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara, ka reaguar zyrtarisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Ngjarja u bë publike më 21 gusht, kohë kur autoritetet kroate, përmes sistemit evropian të sigurisë ushqimore RASFF, njoftuan për ndalimin e një ngarkese me 5 mijë e 562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria, për shkak të tejkalimit të kufirit të lejuar të përmbajtjes së nikelit. Rasti u klasifikua si “Njoftim për refuzim në kufi”, me referencë nr. 2025.6367.

Sipas njoftimit të AKU-së, menjëherë pas marrjes së alarmit nga autoritetet kroate, u krye një inspektim në subjektin eksportues në Fier, ku rezultoi se produkti nuk ishte më në gjendje dhe se e gjithë sasia ishte eksportuar, pa hyrë në tregun vendas.

Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie e nga verifikimi rezultoi se produkti nuk është shpërndarë në Shqipëri. Ngarkesa është asgjësuar në Kroaci pas rezultateve laboratorike, siç thuhet në deklaratën zyrtare të AKU-së.

Autoriteti sqaron po ashtu se rasti është referuar për ndjekje të mëtejshme në Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), për të marrë masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi. AKU-ja bën të ditur se ka përditësuar njoftimet përkatëse në sistemin RASFF dhe se po vijon bashkëpunimin me autoritetet evropiane për të garantuar sigurinë e zinxhirit ushqimor.