Lifestyle

“Plaga e nënës” që shumë njerëz nuk e kuptojnë… Si ndikon marrëdhënia me nënën në jetën dhe dashurinë tuaj?

Marrëdhënia me nënën në vitet e para të jetës mund të lërë një ndikim shumë të thellë në mënyrën se si një person e sheh veten dhe krijon lidhje me të tjerët në të ardhmen. Ky fenomen njihet shpesh si “plaga e nënës”.

Sipas psikologes klinike Lindzi O’Shea, ky term i referohet gjurmës emocionale që mund të lërë marrëdhënia e hershme me nënën tek një fëmijë.

Plaga e nënës i referohet gjurmës emocionale që lë marrëdhënia e hershme me nënën

-ka shpjeguar ajo për HuffPost.

Sipas saj, kjo shpesh lidhet me mënyrën si një person e vlerëson veten dhe nëse ndien se është i denjë për dashuri.

Kjo përvojë mund të ndikojë edhe në lidhjet romantike dhe shoqërore në moshë madhore. Në disa raste, njerëzit mund të ndiejnë nevojë të vazhdueshme për miratim nga të tjerët, të përpiqen t’u bëjnë qejfin të gjithëve ose të tërhiqen nga partnerë emocionalisht të paarritshëm.

Me këtë pikëpamje pajtohet edhe autorja Jasmine Lee Cori, e cila në librin e saj The Emotionally Absent Mother shpjegon se këto modele emocionale shpesh formohen që në fëmijëri dhe mund të vazhdojnë edhe kur personi rritet.

Në jetën e përditshme, kjo mund të shfaqet në forma të ndryshme: ndjenja se jeni përgjegjës për emocionet e të tjerëve, vështirësi për të vendosur kufij pa u ndier në faj, vetëkritikë e fortë ose frikë nga braktisja.

Disa njerëz gjithashtu mund të kërkojnë falje shumë shpesh, të japin më shumë sesa marrin në marrëdhënie ose të kenë ndjesinë se dashurinë duhet ta “fitojnë”.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se shërimi është i mundur. Sipas Lindzi O’Shea, procesi nuk do të thotë domosdoshmërisht përballje apo prishje e marrëdhënies me nënën, por më shumë të mësosh të kuptosh veten dhe të ndërtosh vetëvlerësimin.

Disa hapa që mund të ndihmojnë janë: të kuptoni modelet që keni marrë nga fëmijëria, të dalloni ndjenjat tuaja nga ato të të tjerëve, të mësoni të vendosni kufij dhe të zhvilloni më shumë vetëbesim.

Në thelb, shërimi fillon kur një person mëson t’i japë vetes atë mbështetje emocionale që mund t’i ketë munguar në të kaluarën.