Një lidhje dashurie mund të lindë në shumë mënyra, por shpesh ajo që nis si miqësi kthehet me kalimin e kohës në diçka më të thellë. Një raport i fortë i ndërtuar mbi besim dhe mirëkuptim mund të shndërrohet gradualisht në një lidhje romantike, edhe pse jo gjithmonë është e lehtë ta kuptosh kur ndodh ky ndryshim.
Sipas psikologes Angeliki Tsardoulia, e cila ndan shpesh analiza psikologjike në faqen e saj në Instagram “psychologysays”, ekzistojnë disa shenja që tregojnë se ndjenjat ndaj një miku apo mikeje mund të kenë filluar të ndryshojnë.
Një nga shenjat e para është ndrojtja që shfaqet papritur. Mund ta keni më të vështirë ta shihni në sy personin tjetër, edhe pse më parë kjo ishte diçka krejt normale në miqësinë tuaj.
Një tjetër tregues është fakti që mendoni shpesh për atë person, sidomos në momentet kur ndiheni të stresuar ose emocionalisht të lodhur. Në mënyrë të pavetëdijshme, kërkoni mbështetje tek ai apo ajo.
Në disa raste, njerëzit ndjejnë edhe një lloj faji për ndjenjat e tyre. Ata mund të kenë frikë se pranimi i dashurisë mund të ndryshojë marrëdhënien që kanë ndërtuar deri tani, ndaj përpiqen ta mohojnë atë që ndjejnë.
Ndryshime mund të vihen re edhe në sjelljen e përditshme. Emocionet e forta mund të ndikojnë te oreksi për ushqim, i cili shpesh ulet. Gjithashtu, mendimet për atë person mund të bëhen shumë të shpeshta, madje ai ose ajo mund të shfaqet shpesh edhe në ëndrrat tuaja.
Megjithatë, kalimi nga miqësia në dashuri nuk është diçka e rrallë. Një studim i publikuar në revistën shkencore “Social Psychological and Personality Science” tregon se rreth 68% e çifteve kanë qenë fillimisht miq para se të nisnin një lidhje romantike.
Madje, sipas të njëjtit studim, rreth 42% e këtyre çifteve përfunduan duke u martuar dhe duke ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme.
Kjo tregon se kur dashuria lind mbi një miqësi të vërtetë, shpesh ka më shumë gjasa të zgjasë në kohë, sepse partnerët tashmë e njohin mirë njëri-tjetrin dhe kanë krijuar një bazë të fortë besimi.