Në Durrës u vu në prangat e policisë autori i plagosjes me thikë të një 70 vjeçari, ngjarje e ndodhur një ditë më parë, për një lojë domino. Plagosja u regjistrua në lagjen numër 11 të qytetit bregdetar ku dyshohet se Arben Shtraza goditi të moshuarin pas sherrit për motive të dobëta. Më pas, ai u largua nga vendi i ngjarjes me thikë në dorë dhe u kap pas ndjekjes nga uniformat blu.
Plagosi rëndë me thikë, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë vë në pranga autorin e dyshuar. Pas plagosjes, autori u largua, por u kap pas disa minutash ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës. Në momentin e kapjes, autori kishte me vete mjetin prerës (thikë) me të cilin kreu plagosjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik me përdorim të mjetit prerës, në zonën pranë sheshit “Pranvera”, shkuan në adresën e dhënë dhe ndërhynë në kohë reale. Si rezultat i ndërhyrjes profesionale, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A.Sh., 67 vjeç, banues në lagjen nr.11, Durrës”, njofton Policia e Durrësit.
I plagosuri ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Ndaj autorit rëndojnë akuzat “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.