Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ndalet në Shkup ku sot dhe nesër takohet me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e zbatimit të Planit europian të Rritjes për rajonin, siç njoftoi Brukseli zyrtar. Liderët nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnja, Mali i Zi e Serbia, si dhe Kos do të përqendrohen te reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes.
Qëllimi është që të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në Bllok.
Po ashtu, takimi do të jetë mundësi për të diskutuar mbi fusha të reja të bashkëpunimit, si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e BE-së.
Gjatë takimit dyditor, Komisioni Europian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë 87.7 milion euro, nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliard euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron përfitime për shtetet e rajonit që po përgatiten për anëtarësim në BE dhe gjatë takimit, pjesëmarrësit do të rishikojnë përparimin duke diskutuar lidhur me hapat e mëtejshëm. KE-ja tha se qëllimi i Planit të Rritjes është të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor e të ndihmojë shtetet e rajonit t’i bashkohen Unionit.
Plani i Rritjes planifikon mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4, kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti e transformimi digjital, që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se sot kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski do të ketë një takim të veçantë me eurokomisioneren Kos. Më pas, të dy do të japin nesër një konferencë shtypi të përbashkët. Po nesër, në program janë dy panele. I pari, kushtuar Planit të Rritjes dhe i dyti për mekanizma specifikë e mbështetje në zbatimin e planit.