Në përgjigje të planit dhe strategjisë afatmesme ndaj situatës së shkaktuar nga COVID-19, sistemit shëndetësor në vend do t’i shtohen 300 punonjës. Kjo u bë e ditur sot nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një takimi me epidemiologë të Tiranës, ndërsa kryeqyteti është vatër kryesore me shifrat më të larta të të infektuarve. Stafi shtesë pritet t’i përgjigjet nevojave të spitaleve COVID. Manastirliu theksoi se po vijon puna me forcimin e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore për përgatitjen e periudhës vjeshtë-dimër. Në takimin me ministren, epidemiologët e terrenit u shprehën se në këtë periudhë, vihet re rritja e rasteve me COVID te moshat e reja. Vatrat kryesore janë nga festat, ditëlindjet apo grumbullimet ne ceremoni mortore.