Volodymyr Zelensky ka thënë se negociatorët ukrainas që po diskutojnë propozimin e paqes të SHBA-së nuk kanë arritur ende një marrëveshje mbi territorin në rajonin e Donbasit.
Presidenti i Ukrainës në një intervistë tha se elementët e propozimit të SHBA-së kërkojnë diskutim të mëtejshëm mbi një numër “çështjesh të ndjeshme”, duke përfshirë garancitë e sigurisë dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.
“Ekzistojnë vizione për SHBA-në, Rusinë dhe Ukrainën dhe ne nuk kemi një pikëpamje të unifikuar për Donbasin”, tha Zelensky për Bloomberg News.
Kjo vjen pasi Donald Trump tha mbrëmë se ishte “pak i zhgënjyer” që Zelenskyy nuk e kishte lexuar propozimin dhe besonte se presidenti i Ukrainës nuk ishte gati ta nënshkruante atë.
Një nga çështjet më të diskutueshme në planin fillestar të paqes prej 28 pikash të SHBA-së përfshinte lëshimet territoriale të Ukrainës ndaj Rusisë, duke përfshirë të gjithë Krimenë, Luhanskun dhe Donetskun.
LEXO EDHE: Interes për historinë dhe kulturën shqiptare, Ivanka Trump ndan 3 librat që po lexon!
Sot në Londër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky takohet me aleatët kyç evropianë pasi presidenti amerikan, Donald Trump e akuzoi se nuk e kishte lexuar propozimin më të fundit për paqe.
“Ne po nisim një javë të re diplomatike tani. Do të ketë konsultime me udhëheqësit evropianë. Para së gjithash, çështjet e sigurisë, përkrahja për qëndrueshmërinë tonë dhe paketat mbështetëse për mbrojtjen tonë”, tha Zelensky.
Në Londër, Zelensky pritet të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz, përkrahësit më të mëdhenj të Kievit në Evropë.