Grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International, akuzoi Izraelin se po aplikon “një politikë të qëllimshme” për të shkaktuar uri në Gazë, teksa Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e zisë së bukës në këtë territor palestinez. Izraeli, që ka kufizuar hyrjen e ndihmës në Rripin e Gazës, vazhdimisht ka mohuar akuzat se qëllimshëm po shkakton uri gjatë luftës 22-mujore kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në një raport që citon dëshmi të palestinezëve të zhvendosur dhe të stafit mjekësor që ka trajtuar fëmijë të kequshqyer, Amnesty International theksoi se Izraeli po zhvillon një fushatë të qëllimshme të urisë në Rripin e Gazës të okupuar. Amnesty International e akuzoi Izraelin për shkatërrimin sistematik të shëndetit, mirëqenies dhe strukturës sociale të jetës palestineze.
“Ky është rezultati i qëllimshëm i planeve dhe politikave që Izraeli ka hartuar dhe zbatuar gjatë 22 muajve të fundit, për të shkaktuar qëllimisht te palestinezët në Gaza kushte jetese, që janë përllogaritur për të sjellë shkatërrimin e tyre fizik që është pjesë përbërëse e gjenocidit të vazhdueshëm të Izraelit ndaj palestinezëve në Gazë”-tha Amnesty International.
Raporti bazohet në intervista të kryera në javët e fundit me 19 palestinezë të zhvendosur, që janë të strehuar në kampe të improvizuara, por edhe me dy punonjës shëndetësorë në spitalet në Qytetin e Gazës. COAGT e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, trupi që mbikëqyr çështjet civile në territoret palestineze hodhi poshtë pretendimet për kequshqyerje në Gazë dhe po ashtu kontestoi shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.