Rajoni

Policia e Kosovës: Nuk ka patur të shtëna ndaj ushtrisë serbe!

Policia e Kosovës i mohoi kategorikisht pretendimet e mediave serbe se një “grup i armatosur shqiptarësh” qëlloi drejt pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, pranë bazës ushtarake “Debella Gllava”.

Në reagim foli për “dezinformata të pabazuara”, që nuk korrespondojnë me asnjë incident të verifikuar nga autoritetet në Republikën e Kosovës. “Debella Gllava” ndodhet në komunën e Bujanocit, në jug të Serbisë, me shumicë shqiptare.

Pas verifikimit të të gjitha informatave operative, raporteve nga terreni dhe koordinimit me institucionet kompetente, nuk është regjistruar asnjë rast i shtënies me armë drejt pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, siç është raportuar nga disa media në atë vend.

Situata në zonën kufitare ka qenë dhe mbetet e qetë e nën kontroll të plotë. Dje kemi arrestuar katër shtetas të Serbisë, gjuetarë, për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje. Armët dhe municionet janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Disa media serbe, përfshirë Radio Televizionin e Serbisë raportuan dje në mbrëmje se një grup “shqiptarësh të maskuar” sulmoi pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në rajonin e bazës “Debella Glava”, pranë kufirit me Kosovën. Por, nuk u paraqitën prova konkrete që do ta vërtetonin këtë pretendim.