Aktualitet

Policia jep detaje nga operacioni anti-drogë në qarkun Elbasan!

Operacion policor antidrogë në qarkun Elbasan, ekzekutohen 16 nga 24 urdhra-ndalimi të lëshuar nga prokuroria. Gjysma e tyre sot dhe 8, në periudhën hetimore 1-vjeçare. U sekuestruan 9 kg kanabis, rreth 100 gramë kokainë, 5 peshore elektronike, 7 automjete e 17 aparate celularë.

Operacioni policor i koduar “Grupi” kishte në fokus goditjen e shtetasve të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetet Elbasan, Librazhd e Prrenjas. U ekzekutuan 27 vendime gjykate për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Elbasanit, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i një 39 vjeçari, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Po ashtu, u kap një 54 vjeçar, në kërkim në Durrës, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun Elbasan.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Në kuadër të operacionit, nga Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.

Ekzekutohen 16 urdhra ndalimi, (8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare).

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen edhe të 8 shtetasve të tjerë, të cilët gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa.

Ndërkohë, gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme, është kapur edhe 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe është arrestuar në flagrancë një shtetas tjetër për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.

Strukturat për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale prej disa muajsh, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”, që kishte në fokus goditjen e shtetasve të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetet Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas.

Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I.Sh., 38 vjeç; R.Z., 52 vjeç; G.Ç., 23 vjeç; A.B., 49 vjeç; N.S., 39 vjeç; L.F., 33 vjeç; J.I., 31 vjeç dhe M.Ç., 32 vjeç.

Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P.Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.

Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.