Policia e Kosovës njoftoi se arrestoi një person dhe konfiskoi mjete shpërthyese, municion e të tjera pajisje të dyshimta në veri të vendit. Forcat e rendit kryen një kontroll në Mitrovicën e Veriut, pasi u sinjalizuan në rrugë operative.
Kontrolli është realizuar në një shtëpi dhe në objektet përcjellës të saj. Gjetëm dhe konfiskuam katër granata dore të llojit M79, fishekë të llojeve të ndryshme e të tjera mjete të dyshimta.
Policia vuri në pranga një shtetas 37-vjeçar, për të cilin gjykata ka urdhëruar 48 orë paraburgim.
Në lidhje me rastin është arrestuar personi i dyshuar (M.B ) viti i lindjes 1988, i cili është shoqëruar në stacioni policor ku në prezencën avokatit mbrojtës është mbrojtur në heshtje.
Policia e Kosovës ka zbuluar dhe konfiskuar armatim e municion në veri, në disa raste vitet e fundit. Veriu i banuar me shumicë serbe është përballur me tensione të vazhdueshme këto vite dhe ka qenë vatër e disa sulmeve. Në shtator 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një oficer policie. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Kosova e cilëson Serbinë si përgjegjëse për këtë sulm, por Beogradi e mohon. Në nëntor të vitit të kaluar ndodhën dy sulme me granata nga persona të paidentifikuar ndaj komunës së Zveçanit dhe një stacioni policor atje, të cilat shkaktuan dëme. Në fund të atij muaji u regjistrua një shpërthim ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në një fshat të Zubin Potokut, me dëme të mëdha. Edhe për këtë sulm, Kosova fajësoi Serbinë, që sërish mohoi akuzat.
Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400 mijë euro. Komunat e veriut, Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zubin Potoku dhe Zveçani, drejtohen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2023.