Policia e Vlorës ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike të qytetit, duke arrestuar pesë persona dhe sekuestruar rreth 700 doza droge.
Operacioni i koduar “WEST” çoi në pranga tre shtetas shqiptarë dhe dy shtetas italianë, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në plazhe dhe lokale gjatë sezonit turistik.
Gjatë kontrolleve në zonën e Zvërnecit, në automjetin që përdornin dhe në një banesë në lagjen “Uji i Ftohtë”, policia gjeti dhe sekuestroi doza të llojeve të ndryshme të drogës, përfshirë “Tusi”, ketaminë, MDMA, kokainë, ekstazi dhe kanabis.
Gjithashtu u sekuestruan një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal dhe 8 aparate celularë.
Të arrestuarit janë proceduar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.