Politika shqiptare ka uruar festën e “7 Marsit” për të gjithë mësuesit në vendin tonë. Presidenti Bajram Begaj ka kujtuar veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar si Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar.
“Sot, në Ditën e Mësuesit, unë dhe Armanda duam të urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen për këtë ditë të shënuar!
Ne, gjatë jetës sonë kemi pasur privilegjin të ushtrojmë edhe mësimdhënien, ndaj e dimë mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë.
Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar.
Së fundmi, falenderoj dhe të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përçimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë vendit.
Gëzuar ditën tuaj mësues të dashur dhe faleminderit nga zemra”, shkruan Begaj.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar mësuesit me rastin 7 Marsit.
“7 Marsi, Festa e Mësuesit, është një ditë mirënjohjeje. Për mësueset e mësuesit që vit pas viti, ditë pas dite, orë pas ore, me energjitë, talentin, vizionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen!”, shkruan Nikolla.
Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit duke shprehur përulësinë dhe mirënjohjen.
“MIRËMËNGJES, Gëzuar “7 Marsin” mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush”, shkruan Rama.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar ditën e mësuesve duke thënë se politikanët e kanë për detyrë që t’i përkrahin. Po ashtu shprehet se ka dërguar 50 libra dhuratë për bibliotekën e shkollës ‘Azem Bejta’ të Prekazit.
“Me një kartolinë urimesh dërgova pesëdhjetë libra dhuratë për bibliotekën e shkollës “Azem Bejta” të Prekazit.
Gëzuar të gjithë nxënësve dhe mësuesve për 7 Marsin, ditën e Arsimit Shqip, “Ditën e Mësuesit”!
Detyra e nxënësve është e përditshme, të mësoni e të lexoni. Ndërsa detyra jonë si politikanë është t’i përkrahim mësuesit e nxënësit shqiptarë kudo që ata ndodhen, në trojet e tyre historike dhe në diasporë.
Kjo ditë këtë vit shënon edhe 25 vjetorin e rënies së Adem Jasharit, kryesimbolit të përpjekjes shqiptare për liri e dinjitet. Lavdi e përjetshme heroizmit të Jasharëve!” – shkroi Meta.