Edicionin e ardhshëm mund të jenë 7 skuadra angleze në kompeticionin madhor, Gjithçka është në duart e Liverpool, Aston Villa dhe Nottingham Forest.
Pavarësisht presionit të disa klubeve për të riparë normat e Champions-it për të penalizuar klubet angleze, Premier League vazhdon të diktojë ligjin në kompeticionin kryesor europian. Në 2026-2027, për të dytin sezon radhazi, edhe skuadra e vendit të 5-të në Angli ka të drejtën të marrë pjesë në kupën me “veshë të mëdhenj”.
Jo vetëm kaq, Premier League mund të shënojë një rekord absolut e të shkojë me 7 klube në Championsin e ardhshëm, një më shumë se këtë vit. Çdo gjë varet nga Liverpool, Nottingham Forest dhe Aston Villa, me dy të fundit të angazhuara në Europa League.
Nëse skuadra e Emery fiton kupën dhe e mbyll kampionatin jashtë 4-shes së parë (tani mban vendin e 4-t), siguron Championsin (si Tottenham i Postecoglu). E njëjta gjë vlen edhe për Nottingham Forest.
Situatë identike edhe për Liverpool: nëse fiton Championsin dhe në kampionat renditet nga vendi i 5-të e poshtë, merr pjesë sërish në kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve.
Në rast se Aston Villa (ose Nottinghham) dhe Liverpool fitojnë trofeun në kupa dhe asnjë prej tyre nuk renditet në top 4), 7 nga 36 vendet e Championsit edicionin e ardhshëm do të zihen nga klubet angleze. Diçka e jashtëzakonshme, që konfirmon forcën e madhe të Premier League.
Ka edhe një skenar të fundit. Nëse Liverpool fiton Champions-in dhe zë vendin e 5-të apo të 6-të në kampionat e në të njëjtën kohë Aston Villa fiton Europa League e renditet i 5-ti ose i 6-ti, në Champions shkon vendi i 7-të në Premier League. Aktualisht është Brentford në vend të 7-të, me pikë të barabarta me Everton, nga 46.