Miranda Kerr ka vendosur të flasë pa filtra për ndarjen nga Orlando Bloom dhe marrëveshjen e heshtur që i bashkoi edhe pas divorcit.
Modelja e njohur e Victoria’s Secret, e cila ishte e martuar me aktorin për tre vite, rrëfeu në podcastin “We Need to Talk”, më 3 shkurt, se si arritën të ndërtonin një marrëdhënie të shëndetshme bashkëprindërimi për hir të djalit të tyre, Flynn, tashmë 15 vjeç.
Ajo tregoi se momenti i ndarjes erdhi kur të dy kuptuan se lidhja nuk po i ndihmonte më të rriteshin si njerëz.
Vendimi për t’u ndarë u shoqërua me një premtim të qartë: mirëqenia e Flynn do të ishte gjithmonë mbi çdo gjë tjetër.
E dija që duhej ta vendosnim atë në radhë të parë, pavarësisht gjithçkaje tjetër
-tha Kerr.
Modelja sqaroi se rruga drejt një raporti të qëndrueshëm pas ndarjes nuk ishte aspak e lehtë. Sipas saj, u desh punë e brendshme, reflektim dhe mbi të gjitha falje, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj vetes. Vetëm kështu, tha ajo, mund të arrihet paqja e vërtetë pas një ndarjeje.
Edhe pas divorcit në vitin 2013, pas gjashtë vitesh lidhje, Kerr dhe Bloom vendosën që konfliktet personale të mos ndikonin tek djali i tyre. Ajo theksoi se mungesa e faljes krijon një barrë emocionale që në fund dëmton të gjithë, veçanërisht fëmijën.
Duke folur për bashkëprindërimin, Kerr u shpreh se lidhja mes dy prindërve nuk shkëputet kurrë plotësisht.
Kur ke një fëmijë me dikë, ai person mbetet gjithmonë pjesë e jetës sate
-u shpreh ajo.
Modelja pranoi gjithashtu se në fillim e kishte të vështirë të vendoste kufij të qartë në marrëdhënien me ish-bashkëshortin, por kjo ndryshoi pasi njohu partnerin e saj aktual, Evan Spiegel. Sipas Kerr, ai e ndihmoi të kuptonte rëndësinë e balancës dhe respektimit të hapësirës personale.
Sot, Miranda Kerr është nënë e katër fëmijëve: Flynn nga martesa me Orlando Bloom dhe tre djem të tjerë Hart, Miles dhe Pierre, nga lidhja e saj me Evan Spiegel.