Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi homologun ukrainas se ekziston një mundësi e dukshme që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt. Edhe Kremlini paraqiti një panoramë të zymtë, duke vënë në dukje se sheh pak vend për optimizëm në zgjidhjen e krizës. Më herët gjatë javës, Amerika refuzoi kërkesat kryesore të Rusisë.
Zyrtarët rusë thanë se ende dialogu ishte i mundur për t’i dhënë fund krizës, por Biden dha një paralajmërim të qartë mes shqetësimeve në rritje se presidenti Vladimir Putin do të japë dritën jeshile për një pushtim të territorit ukrainas, në një të ardhme jo shumë të largët. Në një bisedë telefonike të Biden-it me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, u përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Emily Horne:
Presidenti Biden deklaroi se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt. Ai e ka thënë publikisht dhe ne e kemi paralajmëruar prej muajsh.
Ministri i Jashtëm rus, Lavrov tha se “Rusia nuk dëshiron luftë”.
Kremlini nuk po kërkon konflikt me Kievin, por Moska nuk do të lejojë që interesat e saj të sigurisë të injorohen.
Dy ditë më parë, zyrtarët e Ukrainës, Rusisë, Francës e Gjermanisë zhvilluan bisedime në Paris dhe ranë dakord për një raund tjetër bisedimesh në Berlin, në javën e dytë të muajit shkurt. Bisedimet e shkurtit do të zhvillohen në të njëjtin nivel diplomatik si të Parisit. Në rendin e ditës nuk është parashikuar ndonjë takim i nivelit të lartë mes drejtuesve të shteteve.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë, që druhen se Rusia mund të pushtojë së shpejti Ukrainën, vazhdojnë të protestojnë kundër grumbullimit të më shumë se 100 mijë trupave ruse përgjatë kufirit. Por, Moska thotë se nuk ka në plan të sulmojë. Presidentët Biden e Putin do të vendosin nëse duhet të zhvillojnë të tjera bisedime lidhur me ngërçin diplomatik të krijuar, pas dy telefonave të zhvilluara muajin e kaluar. Ukraina nuk po planifikon asnjë veprim ofensiv dhe Kievi pret që përpjekjet diplomatike për të trajtuar krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë të vazhdojnë.