Rajoni

Presidenti i Malit të Zi: Më kërcënoi Nik Gjeloshaj/Kërkon shkarkimin e zv.kryeministrit!

Zyra e presidentit të Malit të Zi bëri të ditur se zv.kryeministri Nik Gjeloshaj i ka dërguar një mori kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme presidentit, Jakov Milatoviç. Kjo ndodhi kur u bë publike se kreu i shtetit e ka kthyer Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme në Kuvend për rishqyrtim.

Dje në mbrëmje, kabineti i Milatoviçit thirri kryeministrin Milojko Spajiç që menjëherë ta shkarkojë Gjeloshajn dhe gjithçka është raportuar te drejtori i Policisë. Zyra e presidentit vlerëson se arsyeja për kërcënime ka të bëjë me disa kontestime në gjykatë që Komuna e Tuzit ka me kompaninë “Plantacionet e 13 korrikut”, lidhur me llogaritjen (e paligjshme) të taksës së pasurisë së paluajtshme mbi tokën bujqësore.

Për këto kontestime ka mospajtime rreth llogaritjes së paligjshme të taksës vjetore në pronë të paluajtshme që Komuna e Tuzit e ka arkëtuar përmes ngrirjes së llogarive. Kompania Plantacionet është detyruar të kërkojë drejtësi dhe kthimin e fondeve përmes gjykatave. Këto procedura zvarriten me vite dhe të gjitha vendimet që janë marrë nga Gjykata Administrative për apelet e kompanisë, tashmë kanë qenë në të mirë të saj, thuhej në një deklaratë.

Sipas kabinetit të Milatoviçit, “rolin kryesor në atë proces e kishte zv.kryeministri aktual, atëherë kryetar i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kundër të cilit kompania Plantacionet ka ngritur kallëzim penal para Zyrës së Kryeprokurorit Special të Shtetit”. Mospajtimet mes Komunës së Tuzit dhe kompanisë Plantacionet kanë vazhduar me vite. Me krijimin e Komunës së Tuzit, një pjesë e mirë e tokave të kompanisë ranë në kompetencë të qeverisjes lokale.

Gjeloshaj u përgjigj përmes një deklarate, duke thënë se Milatoviç është duke tentuar t’i përdorë akuzat për të tërhequr vëmendjen nga tema kryesore, që presidenti ka refuzuar të nënshkruajë Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme.

Ai pretendon se Milatoviç refuzon të nënshkruajë ligjin për shkak të “lidhjeve të tij si kumbari me Nebojsha Vuksanoviçin, ish-presidentin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë Plantacionet, me qëllim përfitimin personal për vete dhe për të”.

Nebojsha Vuksanoviç është ish-anëtar i Partisë Popullore Socialiste. Presidenca e Malit të Zi ka theksoi se ai nuk është kumbar i Milatoviçit dhe mbetet i angazhuar si ndihmës në zyrën e presidentit.

Në disa mesazhe të publikuara nga Milatoviç në platformën X, i tha Gjeloshajt se nuk do të dorëzohet ndaj presionit kur bëhet fjalë për Kushtetutën dhe se do të respektojë ligjin dhe interesat e qytetarëve dhe shtetit.

Gjeloshaj, shkroi:

Nuk duhej të ishe futur në këtë punë dhe të prisje një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim. Do ta marrësh përgjigjen që meriton.