Bota

Presidenti rus Putin nuk jep përgjigje nëse NATO shpërfill Moskën!

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk deklaroi si do të reagojë, nëse nuk plotësohen kërkesat e tij për garanci sigurie nga NATO, lidhur me zgjerimin e Aleancës drejt lindjes.
Përgjigja varet nga propozimet që ekspertët tanë ushtarakë do të më ofrojnë. Rusia do të përpiqet të arrijë rezultat ligjërisht detyrues nga këto negociata.

Një javë më parë, Moska u dorëzoi përfaqësuesve të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, një draft të marrëveshjes ku kërkohej ndalimi i zgjerimit të NATO-s në lindje. Këtë veprim, e konsideron rrezik për sigurinë e saj.

Po ashtu, Rusia kërkon garanci që NATO nuk do të pranojë Ukrainën si shtet anëtar, kërkesë të cilën Aleanca e ka refuzuar. Negociatat mes palëve, tashmë priten në janar.
Këshilli NATO-Rusi mund të mblidhet në janar, për të parën herë në dy vjet e gjysmë, por nga Moska ende nuk ka një zotim. Një zyrtar i NATO-s konfirmoi se Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka vendosur të thërrasë një takim më 12 janar e se për këtë çështje, Aleanca është në kontakt me Rusinë. Moska zyrtare pranon se u njoh me propozimin, por se vijojnë bisedimet që të vendoset lidhur me formatin dhe datën.

Prej javësh, një grumbullim i trupave ruse pranë kufirit ukrainas, po shkakton shqetësim në komunitetin ndërkombëtar. Rusia kërkon “garanci sigurie” nga Perëndimi, përfshirë atë kategorike, se “Ukraina nuk do të bashkohet me NATO”-n.

Aleanca e refuzon kërkesën ruse, ndonëse Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg, vazhdimisht thekson gatishmërinë për të diskutuar çështjet në Këshillin NATO-Rusi. Bisedimet e fundit në këtë format u zhvilluan në korrik 2019.