Presidenti ukrainas iu bëri thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë të paktën, po aq të qëndrueshëm sa janë ata, përballë kushteve të vendosura nga Rusia lidhur me zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi. Volodymyr Zelensky, i cili foli me gazetarët në Paris para samitit të rëndësishëm të mbrojtjes për formimin e një “koalicioni të vullnetit”, tha se ra dakord të vazhdojë bisedimet për armëpushim në Arabinë Saudite, për të siguruar rinisjen e ndihmës amerikane dhe ndarjen e informacioneve të Inteligjencës.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se bisedimet prodhuan marrëveshje “për zhvillimin e masave për zbatimin” e zotimeve të fundit për të ndalur sulmet ndaj objekteve të energjisë e një armëpushim në Detin e Zi. Por, Moska po kërkon që të përmbushen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.
Ne e kemi shfaqur qëndrueshmërinë tonë. Tani është e rëndësishme që edhe partnerët tanë të jenë po aq të qëndrueshëm sa ne, edhe pse ata kanë më shumë kapacitete.
Presidenti ukrainas i bëri këto deklarata ndërsa u takua me homologun francez, Emmanuel Macron, në Paris para nisjes së samitit të sotëm. Në mes të një stuhie diplomatike, të udhëhequr nga SHBA-të për dhënien fund të luftës në Ukrainë, europianët po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një vend në tryezën e negociatave. Por, deri tani janë mbajtur jashtë raundeve të bisedimeve që kanë përfshirë Moskën, Kievin e Uashingtonin.
Macron theksoi se krijimi i një force europiane të sigurisë do të diskutohet gjatë samitit, por vuri në dukje se nuk do të ishte në vijën e frontit dhe nuk do të kishte për detyrë monitorimin apo zbatimin e një armëpushimi, detyrë për të cilën sugjeroi se bie mbi paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, kjo forcë do të dislokohej brenda Ukrainës për të parandaluar Rusinë dhe për të ofruar trajnime e mbështetje për trupat ukrainase. Disa orë para nisjes së takimit, Macron njoftoi se Franca do t’i japë Ukrainës një paketë të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2 miliardë euro e që do të përfshijë raketa kundërtanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, avionë luftarakë Mirage, autoblinda, municion dhe ndihmë tjetër.