Sport

Inzagi: Fitore e madhe, besova edhe kur Bajerni na barazoi në fund

Simone Inzagi e quan fitoren ndaj Bajernit si një nga më të bukurat e karrierës së tij si trajner. Numri një i zikaltërve u ka thurur elozhe djemve për gjithçka janë duke bërë në këtë sezon. “Sigurisht që është një nga fitoret më të rëndësishme. Dua që të komplimentoj djemtë. Përtej rezultatit mendoj për tipin e ndeshjes që bëmë dhe si i ndërtuam aksionet. Por është vetëm pjesa e parë, për një javë do të luajmë ndaj një ekipi të fortë. Por Interi u largua me kokën lart. Është një fitore me vlera, që na bën të lumtur. Kemi fituar ndaj një ekipi që në 27 ndeshjet e fundit në shtëpi ka fituar 23. Duhet që të vazhdojmë këtë rrugë javën e ardhshme përballë tifozëve tanë”, tha fillimisht Inzagi.

LEXO EDHE: Fatsjellëse për skuadrën e saj të zemrës, Dua Lipa ndoqi nga tribuna ndeshjen Arsenal-Real Madrid (Foto dhe Video)

Inzagi më tej foli edhe për strategjinë dhe zhvillimin e ndeshjes:

“Prisja që Bajerni të na bënte më shumë presion, por gjetën një Inter që luajti mirë. Në pjesën e parë ia dolëm, por pastaj në fund shënuam golin vendimtar të ndeshjes. Nuk hoqëm dorë kurrë se mund ta fitonim këtë sfidë, pavarësisht golit që pësuam nga Bajerni. Djemtë u treguan të zotët. Treguam mentalitet dhe dëshirë që të besonim në një tjetër gol në atë moment. Është e rëndësishme që nuk u shpërbëmë edhe sepse ata gjetën besim dhe mund të na ndëshkonin me një tjetër gol. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të besojmë për sfidën e kthimit. Ekipi është duke bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të na rikthehet ndonjë lojtar i dëmtuar. Jemi shumë të lodhur në aspektin fizik”, ka thënë trajneri i Interit.